Monday, January 28, 2013

Plagoset Agoni i Babastars

Agoni, i njohur si BigXik, i cili është pjesë e ‘labelit’ Babastars, është plagosur në trup me revole, por tashmë është jashtë rrezikut për jetë. Siç mësojnë burimet e Telegrafit, ngjarja ka ndodhur ditë më parë dhe konfirmohet se gjendja e Agonit është jashtë rrezikut për jetën. Besohet se plagosja e Agonit ka ardhur pas një përleshje të tij me një person të pa identifikuar, i cili e ka shkrepur revolen drejt reperin pasi konflikti u përshkallëzua. Ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga BabaStars apo vet Agoni rreth kësaj ngjarje. BabaStars edhe gjatë vitit të kaluar kanë qenë pjesë e disa konflikteve. Kujtojmë prillin e vitit të kaluar kur pati bërë bujë incidenti në aeroportin e Zurichut, ku pjestarë të BabaStars ishin përleshur fizikisht me Noizyn, për të zhvendosur më pas këtë konflikt edhe në rrafshin muzikor me ‘dissa’ të shumtë. /Telegrafi/

Saturday, January 26, 2013

Nacionalistët serbë publikojnë foto të Ramushit pas rrahjes me rusët

Një organizatë serbe, “Srpski Narodni Pokret”, ka dërguar të shtunën fotografi të Ramush Haradinajt, në adresë të mediave, të bëra gjatë vitit 2000 menjëherë pas përleshjes së tij me trupat ruse të stacionuara në Kosovë. Në fotot e publikuara shihet një ushtar rus duke e “shoqëruar” Haradinajn me duar të lidhura, ndërsa në tjetrën disa persona të shtrirë në asfalt dhe ushtarët rusë me fytyra të mbuluara. “Komunikata” i është dërguar edhe Kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic, të cilit kjo organizatë ia bënë me dije se si “negociohet me terroristët”. Aty jepet edhe versioni i kësaj ngjarje ku thuhet gabimisht se gjithçka ka ndodhur në Mushtishtë afër Suharekës. Siç dihet përplasja ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Pejë në afërsi të Klinës. “Njësia ruse pjesë e KFOR’it kishte ndalë një veturë me terroristë të armatosur në mesin e të cilëve ishte edhe Haradinaj. Pasi që shumë shpejtë janë mposhtur dhe çarmatosur Haradinaj i ka thënë parashutistit rus se është xhudist dhe se do të bisedonin ndryshe po të mos ishte ai armatosur”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate nacionaliste serbe. Më pas aty theksohet se ushtaraku rus ka urdhëruar që t’i zgjidhen duart Haradinajt dhe ka filluar dueli mes tyre të cilin sipas kësaj organizate e ka fituar rusi. Kjo organizatë tashmë i ka nxjerrë në shitje këto fotografi. Sipas njoftimit, të dërguar nga organizata serbe njësia ruse fotografinë e publikuar më parë ia ka dhuruar një serbi me emrin Igor Marinkovic. Aty thuhet se porosia e fotografive ndër të tjera nënkupton edhe gatishmërinë e rusëve për të marrë pjesë vullnetarisht në mbrojtjen e Kosovës. Fotot e publikuara duket se janë autentike.


Ja si duket Audi RS Q3 (Foto)

Kompania e njohur e makinave Audi, dëshmon se me RS Q3 ofron atë që kërkon një pronar i një makine sportive. RS Q3 ka 360 KF dhe është atrakcion i vërtetë me rrotat e mëdha dhe grilin sportiv përpara në ngjyrë të zezë. Brendësia, sikurse nga jashtë është sportive ku dominon lëkura. Ai përmbanë një motor pesëcilindërsh Turbo nga TT RS i cili “SUV”-in e vogël katapulton gjer më 265 Km/h. Çmimi i këtij modeli pritet të fillojë nga 58.000 euro e sipër.


Xhandarmëria serbe futet në territorin e Kosovës

Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë kaluar të enjten Portën numër 1 të kufirit Kosovë-Serbi dhe kanë hyrë qindra metra brenda territorit kosovar. Dëshmitarë të rastit i kanë thënë gazetës se ata kanë qëndruar për disa orë në territorin e Kosovës. E hyrja e pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe, qindra metra në thellësi të territorit të Kosovës, thuhet se është bërë me qëllim të “mbrojtjes” nga ndonjë sulm të Portës 1, të pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan koha. Ndërkaq, qeveria e Kosovës nuk ka qëndrim për aksionin e xhandarëve fqinj./Indeksonline/

Friday, January 25, 2013

Kështu nokautohet Vitali Klitschko (video)

Vitali Klitschko është një prej boksierëve më të mirë në histori. Por, pak kush e di se ai e filloi karrierën si kick-bokser. Humbjet e tij për një kohë të gjatë përmenden si mit urban, por edhe vetë ukrainasi rrallë herë flet për to. Sot më në fund i erdhi fundi një tregimi për humbjen e tij kundër anglezit Pele Reid. Një xhirim nga viti 1992 i shfaqur në Youtube tregon se Reid me një goditje atraktive e nokautoi Klitschkon. Vitali ishte kampion i botës në kategorinë e rëndë të versionit WAKO. Si kick-bokser realizoi 34 fitore, 22 me nokaut. Pësoi tre humbje nga Reid, William Van Roosmalen dhe James Warring. /Dukagjini.com

Saturday, January 19, 2013

Liqeni më i rrezikshëm në planet çdo vit merr 5 000 jetë

Liqeni Viktoria që shtrihet në 70 000 kilometra katrorë ndërmjet Ugandës, Tanzanisë dhe Kenisë, paraqet burimin e dytë më të madh të ujit të freskët të pijshëm në botë dhe është më i madhi i këtij lloji në Afrikë, ndërkohë që njëkohësisht është edhe rezervuari kryesor i lumit Nil. Në kuadër të liqenit me pamje jashtëzakonisht të bukura gjendet edhe një arkipelag me mbi 80 ishuj. Mirëpo, ai paraqet edhe risk të madh, pasi sipas zyrtarëve lokalë brenda një viti në të humbin jetën rreth 5 000 persona, qoftë si pasojë e rrethanave të çuditshme klimatike, qoftë rrugëve të këqija. “Është shumë i rrezikshëm. Gjendeni në sipërfaqe e nuk e dini thellësinë e vendit mbi të cilin gjendeni. Madje edhe nëse dini mirë not, kjo nuk mund t’ju ndihmojë shumë”, thotë Sem Kabonga, një peshkatar nga vendi Bugala. Ai shton se secili peshkatar nuk ka mundësi të pajiset me rrip apo jelek adekuat për shpëtim, kurse barkat e vogla mund të zhduken lehtë në valët që formohen në liqe shkaku i mikroklimës së tij të çuditshme. “Ka raste që kur hyni në liqe koha është e mirë, por kur arrini në mes të liqenit përnjëherë fillon era e fuqishme, shiu, retë e dendura”, sqaron Kabonga, shkuan Koha. Meteorologu nga Uganda, Kalid Muwembe flet për arsyet për shkak të të cilave ky liqen është aq i rreshkshim. “Për arsye se liqeni është kryesisht i ngrohtë dhe ka mjaft lagështi, prodhohet një sasi e madhe e energjisë potenciale konvektive, që prodhon re shiu dhe stuhi të bubullimave dhe vetëtimave, që mund të paraqesin rrezik shumë të madh”, thotë ky meteorolog. Me qëllim të mbrojtjes së njerëzve, para pak kohësh këtu ka filluar aksioni provues për informimin me SMS të popullatës lokale të paktën një herë në ditë lidhur me kushtet për kushtet e motit, që iu dërgohen në telefonat e tyre celularë.

Thursday, January 17, 2013

Zbulohet edhe Mercedes E63 AMG

Kompania “Mercedes” tashmë na ka qerasur me fotografitë e E-klasës së re në formë të limuzinës, kabrioletit dhe coupe-s, ndërsa tani ka vendosur të zbulojë edhe modelin e ri E63 AMG. Premiera e tij pritet të ndodhë në sallonin e automobilave në Detroit, ndërsa bëhet fjalë për modelin e freskuar me dizajn agresiv. Pritet që deri dikur do të ndryshohet edhe brendësia e kabinës së udhëtarëve ku me siguri që do të gjendet pllaka e re e instrumenteve, konsola e ristilizuar dhe materialet më cilësore. Të dhënat për performancat nuk janë publikuar, por duket se kjo makinë do të pajisjet me motorin 5.5-litra bi-turbo V8 që do t’i ketë 550 KF dhe 719 Nm. Edhe pse “Mercedes” zakonisht i mban të fshehta të dhënat, ai e zbuloi se në ofertë do të gjendet edhe sistemi 4MATIC, sistemi opsional i tërheqjes në të katër rrotat.