Thursday, December 13, 2012

Asteroidi Toutatis do kalojë pranë Tokës

Një asteroid i madh, që është pothuajse në të njëjtën orbitë me Tokën, do të bëjë një kalim shumë të ngushtë rreth planetit tonë, por nuk ka mundësi të përplasjes, të paktën edhe për disa qindra vite të ardhshme. "Nuk ka asnjë rrezik të përplasjes me Tokën. Asteroidi nuk do ta godasë Tokën për qindra vjet. Megjithatë, vëzhgimet e reja do të na lejojnë të parashikojmë orbitën e tij për një kohë të gjatë në të ardhmen", tha astronomi i NASA, Lance Bener në një deklaratë. Asteroidi, i quajtur Toutatis, afrohet Tokës çdo katër vjet. Në qasjen e afërt, të mërkurën, "shkëmbi qiellor" do të kalojë rreth 7 000 000 kilometra nga Toka, një distancë e cila është rreth 18 herë më e madhe sesa distanca e Tokës nga Hëna. Sipas NASA-s, megjithatë asteroidi me diametër 4.3 km, është potencialisht një objekt qiellor i rrezikshëm në të ardhmen. Toutatis është identifikuar së pari në vitin 1934 dhe u konfirmua në vitin 1989. Në vitin 2004, asteroidi kaloi pranë planetit tonë vetëm 4 herë më larg se largësia e Tokës nga Hëna. Astronomët duke përdorur teleskopët optikë dhe radarët, marrin informacione për pozitën e Toutatis, në rotacionin e pazakontë dhe rrugën e fluturimit të tij, në mënyrë që të vlerësojnë, ku do të udhëtojë ai në të ardhmen./Indeksonline/